Piloti italian i Moto GP, Valentino Rossi ka pësuar dje në mbrëmje një aksident me motor, teksa ishte duke u stërvitur në garat e moto-cross në pistën e shtëpisë së tij, në Cavallara. Mediat italiane raportojnë se aksidenti nuk është i rëndë dhe pasojat e rrëzimit nuk kanë qenë të mëdha, por piloti ka pësuar disa trauma të vogla në trup. Për këtë arsye, ai e ka kaluar natën në spitalin e Rimini, duke qenë nën mbikqyrjen e stafit mjekësor dhe prania e tij në garën e radhës në pistën italiane të Mugello është në dyshim.

Valentino është koshient dhe flet me miqtë e familjarët e tij dhe sot paradite pritet t’i nënshtrohet rezonancës magnetike dhe disa kontrolleve të mëtejshme. Kjo nuk është hera e parë që Rossi pëson aksident në garat e moto-cross, pasi edhe në prill të 2010 pësoi një aksident të tillë, duke u dëmtuar në shpatull. Gjithsesi, situata nuk është aspak e mirë për pilotin italian, që rrezikon të qëndrojë pushim për një periudhë të gjatë.