Një 25-vjeçar në Durrës është arrestuar në flagrancë pasi ka aksidentuar një person që po udhëtonte me biçikletë.

Mësohet se 67-vjeçari i aksidentuar ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. R., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi, në lagjen nr. 11, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, ka aksidentuar biçiklistin me iniciale N. K., 67 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë që të shtunën që lam pas, në Durrës u protestua për mungesën e korsive të biçikletave në qytetin bregdetar, çka rrezikon jo pak jetën e përdoruesve të këtij mjeti. 

Aktivistët e qendrës “Durrësi Aktiv” u mblodhën në sheshin “Pranvera” në Durrës ku prej disa javësh zona i është nënshtruar rehabilitimit, për të denoncuar mungesën e përfshirjes së korsive për biçikleta në investimet e fundit që po bëhen në akset e qytetit.

Duke ju drejtuar Bashkisë së Durrësit, anëtarët e kësaj qendre sollën në vëmendje numrin e lartë të të aksidentuarve në qytet, përdorues të biçikletave.