Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Igli Madanin, 22-vjeçarin që shkaktoi aksidentin e rëndë me 4 viktima dy ditë më parë në autostradën Levan-Vlorë.
Ndaj 22-vjeçarit, i cili u përfaqësua nga avokati i tij është dhënë “arrest në burg”, pasi i riu ndodhet ende në spital pas plagëve të marra. Edhe pse pala mbrojtëse ka kërkuar një masë më të lehtë duke thënë se është në gjendje të rënduar psikologjike, kjo nuk është pranuar nga gjykata.
Madani, banues në Tiranë, ka goditur nga mbrapa mjetin tip “Toyota” ku udhëtonte Eduart Gushi, 44 vjeç së bashku me bashkëshorten Silvanën, 33 vjeçe dhe dy vajzat e mitura.
Për pasojë mjeti ka dalë nga rruga duke u shkatërruar plotësisht dhe duke shkaktuar vdekjen e 4 anëtarëve të familjes Gushi. Nga aksidenti kanë mbetur dhe dy pasagjerë që udhëtonin me të riun, por ata morën plagë të lehta.





