Përplasi për vdekje me makinë dy gratë e së njëjtës familje, gjykata e Durrësit lë në arrest në burg 22-vjeçari Daniel Brahollari.
Sabrie Cufaj 38 vjeçe, Bukurie Cufaj 56 vjeçe humbën jetën. Ngjarja e mbrëmjes së shtunës në afërsi të rreth-rrotullimit të Kënetës rruga “Vëllazërimi”.
Brahollari ka deklaruar në sallën e gjyqit: “Nuk kishte drita, sinjalistikë. Isha me 40 km dhe isha mbrapa një mjeti tjetër. Ishte një mjet përpara dhe ky mjet në një moment është hapur nga e djathta, ndërsa dy persona kanë kaluar me shpejtësi. Mendova se mjeti më hapi krahun për të parakaluar, kur papritur dolën dy gratë dhe s’kisha kohë që të frenoja”.
Vetëm në harkun e dhjetë viteve në rrugën “Vllazërimi” janë aksidentuar me pasojë vdekjen, 24 persona, gra, burra dhe fëmijë. Banorët kërkojnë vendosjen e sinjalistikës dhe ndriçimit.
Rruga “Vllazërimi” në të dy krahët është e mbushur me shtëpi dhe biznese. Ky aks konsiderohet si rruga e vdekjes për shkak të aksidenteve të shumta.





