Gjykata e Durrësit ka lënë në qeli Hysen Picin, i cili aksidentoi një efektiv policie me iniciale G.M., teksa nuk iu bind urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar mjetin të enjten e 9 qershorit.
Në seancën gjyqësore gjyqtarja Besjana Garxenaj vleftësoi të ligjshëm arrestin e Hysen Pici dhe caktoi masën e sigurimit ”Arrest në burg” për të.
Ndaj Picit janë ngritur tri akuza, ajo e kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik, e armëmbajtjes pa leje dhe e drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt.
Gjatë seancës, Pici është shfaqur i penduar dhe ka deklaruar se nuk ka dashur të përplasë policët. Sipas dëshmisë së tij, futja kundravajtje në një rrugë me një drejtim lëvizjeje, pasja e një arme me vete dhe të qenit nën efektin e alkoolit e kanë futur në panik ndaj ka dashur të shmangë patrullën. Ai ka deklaruar se ka qenë i vetëm në mjet.
Ndërkohë hetimet për ngjarjen vazhdojnë.





