Dy shoferët që shkaktuan aksidentin tragjik mbrëmjen e së premtes (9 nëntor) në Korçë do të mbeten në burg.
Gjykata e Korçës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë siç është ajo e arrestit me burg. Petrit Kupe dhe Laurenc Pallashi dy ditë me parë aksidentuan për vdekje 33-vjeçarin Sokol Hoxhën dhe vajzën e tij 6-vjeçare.
Babë dhe bijë po ecnin në trotuar, kur u goditën për vdekje nga makina e drejtuar nga Petrit Kupe, ish-kryebashkiak.
Dyshohet shpejtësia e lartë e një prej mjeteve ka qenë shkak i përplasjes.
“Arrestimi i dy shoferëve u bë pasi në unazën e qytetit të Korçës, duke drejtuar respektivisht mjetin tip “Volkswagen” me targa AA837JU dhe mjetin tip “Benz” me targa AA831AA, janë përplasur me njëri-tjetrin dhe kanë dalë nga rruga, duke sjellë si pasojë, vdekjen e shtetasit Sokol Hoxha, 32 vjeç dhe të vajzës së tij shtetases P.Hoxha, 6 vjeçe, banues në Korçë, të cilët kanë qenë duke ecur në trotuar”, thuhej nga policia për arrestimin e dy shoferëve.





