12 tetor 2015 – Gjatë javës së kaluar, në të gjithë vendin ka vijuar puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes.
Nga data 5 deri më 12 tetor, në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 85 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE, të cilat kanë kryer kontrolle në 3899 raste.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 44 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 44 autorë. Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 11 persona, 20 janë shpallur në kërkim, si dhe po ndiqen në gjendje të lirë 13 të tjerë.
Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 1674 lidhje të abonentëve debitorë dhe 44 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 95 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE-ja janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.
/portali DurresLajm/