Një sasi mbi 102 kg kanabis është sekuestruar në orët e para pas mesnatës në qytetin e Igumenicës në Greqi.

Rreth orës 02:25 policia greke ka tentuar të ndalojë një automjet me targa HNE-9563, që nga verifikimi, rezultoi automjet i sektorit të anti-drogës së Igumenicës. Automjeti nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë deri sa është përplasur me 3 automjete të parkuara. Efektivët që ishin në operacion kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar shoferin dhe pasagjerin. Drejtuesi i mjetit u identifikua si Konstantinos Nakos, 41 vjeç, oficer i sektorit të anti-drogës së policisë së Igumenicës ndërsa pasagjeri si Arben Murto, 41 vjeç nga fshati Shalës i Bashkisë Konispol. Brenda mjetit janë gjetur dhe sekuestruar 19 pako me 102 kg 670 gram kanabis.

Nga hetimet rezulton se oficeri Konstantinos Nakos ka qenë në detyrë patrullimi të planifikuar në orarin 22:00 – 06:00 së bashku me oficerin tjetër të anti-drogës, Dimitrio Oikonomou, 50 vjeç, i cili gjatë operacionit rezultoi se ndodhej brenda një kafeneje në Sajadhë, pranë kufirit greko-shqiptar. Gjatë kontrollit në mjet u gjet gjithashtu pistoleta e oficerit Oikonomou. Veç dy të arrestuarve të parë, me urdhër të Prokurorit, u arrestua edhe oficeri 50-vjeçar.

Prej fillimit të vitit, policia greke ka sekuestruar rreth 640 kg kanabis që dyshohet se vinte nga Shqipëria.