Shkodra vijon të jetë një qark ku kultivimi i kanabisit është në masë, vetëm se vitet e fundit ka ndryshuar formë, duke u orientuar më shumë drejt ambienteve të mbyllura. Në një takim të institucioneve përgjegjëse për luftën kundër drogës në policinë e Shkodrës, drejtuesit e uniformave blu kanë bërë një bilanc, duke prezantuar arritjet e policisë në këtë drejtim.
Sipas nëndrejtorit të policisë së Shkodrës, aksionet kundër kultivimit të kanabisit kanë nxjerrë në pah numrin e lartë të shtëpive të barit, një fenomen në rritje nga viti në vit.
“Janë kryer 4470 kontrolle gjatë vitit 2026, nga 1624 kontrolle që janë realizuar në vitin 2025. Kemi gjithashtu një tregues pozitiv sa i përket rritjes së zbulueshmërisë së kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Janë evidentuar 5 raste këtë vit, nga asnjë rast vitin e kaluar. Janë asgjësuar 1529 bimë dhe 555 kubikë, ndërsa janë referuar në prokurori 18 autorë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, është shprehur Akil Kalo, Nëndrejtor i policisë së Shkodrës.
Por përpos bilancit pozitiv të policisë, lufta kundër drogës ka përplasur uniformat blu me OSHEE-së. Përfaqësuesi i tyre ka ngritur shqetësimin se në çdo aksion të policisë ku zbulohen shtëpi bari, punonjësit e OSHEE prangosen, duke bërë që të vijë në vështirësi mbarëvajtja e punës së tyre.
“Një problematikë mbetet ndalimi i punonjësve të OSHEE-së. Nga drejtoria rajonale janë bërë kërkesa në qeveri dhe kjo çështje është diskutuar edhe në takimet e fundit. Në çdo rast kur zbulohet një shtëpi bari, ndalohen edhe punonjësit e OSHEE-së, të cilët në shumicën e rasteve lirohen nga gjykata për mungesë provash ose hetohen në gjendje të lirë. Kjo është një problematikë që na krijon vështirësi në punë”, është shprehur Gjon Bala, përfaqësues i OSHEE-së.
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, Policia e Shkodrës ka zbuluar dhe goditur 5 raste të “shtëpive të barit”, një fenomen në rritje gjatë viteve të fundit i cili ka zëvendësuar formën tradicionale të kultivimit të kanabisit, me qëllim kamuflimin nga operacionet e policisë.





