Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar  me kërkesë të SPAK ka miratuar masat ‘arrest me burg’ për 18 persona, të cilët u prangosën nga aksioni blic në qytetin e Elbasanit.

Gjatë këtij aksioni u ushtruan kontrolle në bizneset e të kërkuarit të drejtësisë, Suel Çela, ndërkohë që u ‘bastisën’ banesat e dy ish-gjyqtarëve, Zihni Shahu dhe Taulant Tafa. Po ashtu mësohet se zyrtari i policisë i akzuar si pjesë e grupit të Suel Çelës është Dedan Gjoni.

GJKKO caktoi masë ‘arrest shtëpie’ për avokaten e Suel Çelës, Blerina Beqirin.

SPAK ka caktuar masën ‘detyrim paraqitje’ edhe për dy gazetarë, Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët ditën e sotme janë njohur me masat.

“Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e  organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë: Arrest me burg – 18 persona (përfshirë ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);

Arrest në shtëpi –  1 avokat;

Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore –  2 gazetarë.

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim”, bëhet me dije nga SPAK.