Tiranë, 30 gusht 2014 – Aksioni i ndërmarrë në sheshin “Nënë Tereza” për restaurimin e tij, është përshëndetur dhe vlerësuar edhe nga kryeministri Edi Rama.
Përmes një deklarate në rrjetin e tij social Twitter, kreu i qeverisë u shpreh se falë këtij aksioni po ‘çlirohen krahët’ e Universitetit të Tiranës, nga ndërtimet e paligjshme rreth tij, që janë kryer në gusht të vitit 2013.
“Po çlirohen krahët e Universitetit nga çibanët e legalizuar babëzisht në parkun e tempullit të dijes në gusht 2013!!!” shkruan Rama në Twitter.
Aksioni i INUK për prishjen e objekteve në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ka nisur prej ditësh. Ndërkohë sot është bërë shembja e një lokali, ngjitur me universitetin, i cili u shoqërua me një moment tensioni me pronarin e ndërtesës.
INUK paralajmëroi se do të shemben shtatë objekte në këtë zonë, në kuadër të rikonstruktimit të sheshit me rastin e ardhjes së Papa Françeskut në 21 shtator në Shqipëri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





