Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, aksioni i nisur javë më parë nga Policia Bashkiake e Durrësit sot u spostua në një nga akset më të rëndësishme të qytetit bregdetar: nga Mauzoleumi i Dëshmorëve te rrethrrotullimi i stacionit të trenit.

Aksioni, si gjithnjë, u zhvillua në bashkëpunim me zyrën e taksave vendore, Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit, INUV dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit.

Kreu i Policisë Bashkiake thekson se ka një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve të Durrësit dhe atyre që ushtrojnë aktivitete, të cilët kanë ndihmuar efektivët e policisë në punën e tyre duke bërë vetë një pjesë të lirimit vullnetar të hapësirave publike.

Çopa sqaron se këto aksione nuk janë me efekte fushate, por vetëm fillimi i një pune të përhershme që do të vazhdojë në gjithë qytetin, në çdo rrugicë, duke vijuar me: zonën e Plazhit dhe shëtitoren “Taulantia” për të ndalur njëherë e mirë këtë fenomen.

“Policia Bashkiake iu bën thirrje të gjithë subjekteve dhe bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetin e Durrësit, në shëtitoren “Taulantia” dhe në zonën e plazhit që të mos bëjnë investime në mënyrë të paligjshme dhe pa leje duke zënë hapësira publike me metoda primitive dhe iniciativa individuale që bien ndesh me ligjin dhe rregulloren për zënien e hapësirave publike nga vazo betoni, kangjella hekuri apo pengesa të tjera”, është apeli që Çopa u drejton bizneseve që operojnë në Durrës.

Zënia e hapësirave publike nga tavolinat, karriket, reklamat, mallrat e produktet e bizneseve të ndryshme apo shitësve ambulantë ishin kthyer prej vitesh në problem shqetësues për qytetarët. Aksioni i ndërmarrë nga Policia Bashkiake është mirëpritur nga durrsakët, pasi ndryshe nga aksionet e mëparshme sporadike kur hapësirat liroheshin për t’u zënë sërish ditën tjetër, tashmë trotuaret dhe hapësirat e tjera publike kanë nisur të kthehen në destinacionin e tyre primar, në shërbim të qytetarëve.

Ndjekim pamjet gjatë aksionit të sotëm dhe prononcimin e Vasip Çopës për “DurrësLajm”.