TIRANE, 27 dhjetor 2013 – Vendimi i Policisë së Shtetit për të penguar daljen jashtë shtetit të automjeteve që kanë gjoba të papaguara ka shkaktuar probleme për qytetarët, veçanërisht në kohën e festave të fundvitit. Ditët e fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm qytetarësh që janë përballur me pengesa në kalimin në kufi me makinë, për shkak të gjobave të papaguara. Ndërkaq, ditët e fundit është vënë re edhe një fenomen tjetër që ka të bëjë me ndalimin e atyre personave që kanë paguar gjobat, por që shlyerja e tyre nuk është hedhur në sistem. Drejtuesve të mjeteve të kësaj kategorie u kërkohet nga policia që të mbajnë me vete fletën e pagesës së gjobave. Një pjesë e mirë e drejtuesve të mjeteve që janë përballur me një situatë të tillë, mësohet se kanë qenë shoferë të gjobitur në aksionin e ndërmarrë nga Policia Rrugore gjatë ditëve të fundit. 



Gjobiten 20 deputetë 

Aksionit të Policisë Rrugore nuk i kanë shpëtuar as deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe zyrtarë të lartë të administratës dhe Gjyqësorit. Gjatë 2 muajve të fundit, që Qarkullimi Rrugor ka vënë në zbatim planin e masave për ndëshkimin e kundërvajtësve, rezulton të jenë gjobitur rreth 20 deputetë, si dhe zyrtarë të lartë, që nga Presidenca e deri te gjyqtarët e Shkallës së Parë, por edhe të Lartë. Në listën e personave VIP të ndëshkuar me gjobë për shkelje të Kodit Rrugor renditen emrat e deputetëve Ben Blushi, Monika Kryemadhi, Blendi Klosi, Shpëtim Idrizi, Paulin Stërkaj, Armando Prenga etj. As ministrat nuk i kanë shpëtuar gjobave të Policisë Rrugore, si p.sh. ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, por edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Në listën e të ndëshkuarve bie në sy edhe emri i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj dhe emri i gjyqtares Fatmira Hajdari. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, Policia Rrugore në gjithë territorin e Shqipërisë llogarit të ketë vendosur rreth 102 mijë gjoba. Shifrat e aksionit të Rrugores në të gjithë vendin u publikuan dy ditë më parë në buletinin e Ministrisë së Brendshme. Sipas këtij dokumenti zyrtar, vetëm gjatë periudhës 17 nëntor – 17 dhjetor, Policia Rrugore ka vendosur mbi 60 mijë gjoba në gjithë Shqipërinë, ku pjesa më e madhe e të ndëshkuarve janë për mosvendosjen e rripit të sigurimit, duke u ndjekur me ata që kalojnë normën e shpejtësisë së lejuar dhe parakalimet e gabuara. 

1265 gjoba në Tiranë 



Ndërsa Policia e Tiranës, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, deklaroi dje se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e kryeqytetit janë vendosur 1265 gjoba. Sipas Policisë, masat administrative janë vendosur kryesisht për mosrespektim të sinjalistikës rrugore, lëvizje me shpejtësi tej normave të lejuara, si dhe parkim të gabuar. Ky aksion i gjerë i efektivëve të Qarkullimit Rrugor është argumentuar nga Policia e Shtetit si një prej projekteve të planifikuar me masa konkrete për përmirësimin e parametrave të qarkullimit, projekt që po zbatohet në bashkëpunim me misionin PAMECA. Aksioni pritet që të vazhdojë edhe gjatë janarit të vitit 2014. 



Zyrtaret e gjobitur 

2,000. BEN KRISTAQ BLUSHI 

1,000. DITMIR SULEJMAN BUSHATI 

1,000. MONIKA RAMAZAN KRYEMADHI 

3,000. NIKO ALEKS PELESHI 

2,000. BLENDI PULLUMB KLOSI 

1,000. ARMANDO NDUE PRENGA 

1,000. EDI TONIN PALOKA 

2,000. PAULIN NIKOLLE STERKAJ 

2,000. ADMIR GJOVALIN KADELI 

2,000. GJYKATA E LARTE 

1,000. ARBEN AHMET PRRENJASI 

2,000. ARMANDO NIKOLLA SUBASHI 

3,000. TRITAN SHEHU 

3,000. LUAN MERSIN RAMA 

2,000. OLTA ANXHELO XHAÇKA 

1,000. SHPETIM HYSNI IDRIZI 

1,000. FATMIRA IBRAHIM HAJDARAJ 

1,000. BAJRAM IMER IBRAJ 

2,000. PRESIDENCA E REPUBLIKES 



/ panorama /