Nuk lëshonin kuponin tatimor, ishin gjobitur edhe më parë
Mbyllen katër biznese për mos përdorim të kasave fiskale. Kontrollit të ushtruar nga tatimorët e Durrësit gjatë kësaj jave nuk i kanë shpëtuar disa lokale (bar-restorante), që në shumë raste nuk i kishin lëshuar kuponin tatimor klientëve të tyre. Për të evidentuar të gjitha rastet e evazionit fiskal, inspektorët tatimorë të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës kanë ushtruar kontrolle të rrepta në zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar. Nga burime zyrtare të drejtorisë së tatimeve në Durrës mësohet se si rezultat i aksioneve të ndërmarra, tatimorët kanë bllokuar 4 biznese, të llojit bar-restorant, të cilët nuk përdornin kasat fiskale. Subjektet e bllokuara ishin paralajmëruar edhe dy herë të tjera nga hetimi tatimor, pasi ishte konstatuar se ato shmangnin rregullisht lëshimin e kuponave tatimorë klientëve. Gjatë kontrollit të fundit, agjentët tatimorë konstatuan se e njëjta praktikë vazhdohej të aplikohej në këto lokale pavarësisht se ishin paralajmëruar edhe më parë.
Subjektet nuk kishin marrë masa dhe sipas ligjit drejtoria rajonale tatimore urdhëroi bllokimin e aktiviteteteve për 6 muaj. Drejtori i Tatim-Taksave në Durrës, Shkëlqim Fortuzi, deklaroi se,- “ka ende shumë biznese që nuk përdorin kasën fiskale, prandaj i paralajmëroj se nuk do të ketë tolerancë ndaj tyre”.Subjektet e bllokuara nga tatimorët zhvillonin aktivitetin e tyre në zonat më të frekuentuara të qytetit. siç është zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve, rruga Tregtare dhe zona e Currilave. Objekt i kontrollit kanë qenë njësitë tregtare bar-restorante.Subjektet e bllokuara gjatë aksionit të fundit të tatimorëve janë penalizuar më parë nga dega e tatim-taksave me gjoba në shumën 200 mijë deri në 300 mijë lekë.Përballë kësaj situate dhe mosbindje ndaj ligjit, Fortuzi u shpreh se penalizimet do të vijojnë përkundër kundërshtimit nga ana e pronarëve të subjekteve. Ndërkaq, nga ana e tatimorëve, pronarët e bizneseve janë njoftuar se në rast konstatimi të prishjes së shenjave dalluese të bllokimit të aktivitetit të vendosura nga administrata tatimore, do të merret masa e konfiskimit të mallit dhe do të bëhet kallëzim penal në organin e prokurorisë.
Në Durrës ushtrojnë aktivitetin 9.000 biznese, 3.000 prej të cilëve klasifikohen si bizneseve të mëdha, ndërsa 6.000 të tjerët janë regjistruar si biznese të vegjël. Krahas numrit të madh të bizneseve që figurojnë të regjistruar, për drejtorinë rajonale të tatim-taksave nuk mbetet problem monitorimi dhe kontrolli i tyre. Sipas drejtorit të tatimoreve, Shkëlqim Fortuzi, dega e tatim-taksave të Durrësit e disponon të gjithë organikën e duhur për të ushtruar kontrolle të imtësishme dhe të herëpashershme në të gjitha bizneset. Sipas tij kanë qenë këta kontrolle të ushtruara nga grupet e inspektorëve të terrenit, që kanë konstatuar shkelje të rënda të ligjit, përsa i përket përdorimit të kasave fiskale në dhënien e faturave tatimore.Kontrolli do të shtrihet përgjatë ditëve në vazhdim në të gjitha bizneset që operojnë në Durrës dhe për çdo rast që do të konstatohen subjekte që nuk kanë instaluar pajisjen fiskale apo që nuk lëshojnë kupona tatimorë do të merren masat ligjore deri në bllokimin e aktivitetit apo edhe konfiskimin e mallit.