Drejtoria e shërbimit dhe ajo e kontrollit pranë degës rajonale tatimore në Durrës vazhdon prej ditësh aksionin e inicuar nga qeveria dhe ministria e financave. Aksioni në fjalë ndryshon nga ai i dy viteve më parë, pasi nuk ka si qëllim penalizimin e bizneseve, por ndërgjegjësimin dhe këshillimin e tyre drejt ligjshmërisë.
Drejtoresha e degës rajonale të tatimeve, Valbona Sako, shprehet se: “ne duam të kemi një partneritet me biznesin, gjë që në fakt në qytetin tonë ka funksionuar. Vihet re se një pjesë e biznesit të vogël ka një farë presioni për të mos marrë faturimin e mallrave të blerë, por në këtë mes, subjektet e konsoliduara që nga viti 1992 dhe më pas e kërkojnë vazhdimisht pajisjen me fatura”.
Aksioni në fjalë pritet të zgjasë deri në fund të këtij viti, ashtu siç është lëshuar urdhri i ministrit të financave, por administrata tatimore do të vazhdojë punën shprehet Sako, pasi kjo është një punë rutinë e saj.





