Aksioni kundër informalitetit dhe ndryshimet në paketën fiskale 2017 -2018 kanë mbledhur   në një takim ekspertët dhe kontabilistët durrsakë. I organizuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Durrës, në fokus të takimit ishin problemet e drejtpërdrejta që prekin bizneset në rolin e tatimpaguesit.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtuesja e institucionit, Valbona Sako, e cila u ndal te lufta kundër informalitetit, duke e konsideruar luftën të përbashkët me kontabilistët që përfaqësojnë  tatimpaguesit.

Përsa i përket paketës fiskale 2017- 2018, e cila me ndryshimet që pritet të ketë, në masë të konsiderueshme prek biznesin e vogël, drejtuesja Sako kërkoi propozime konkrete nga pjesëmarrësit.

Kryetari i kontabilistëve në Durrës, Besim Tusha, theksoi faktin që në këtë takim duhej të ishin të pranishëm të gjitha palët, sidomos pjesa që është në fokus të aksionit.

Sipas propozimit konkret të tij, TVSH duhet të përcaktohet jo sipas xhiros por sipas natyrës së biznesit.

Përsa i përket ndryshimeve që priten të prekin biznesin e vogël, kufijtë duhet të detajohen, pasi vendosja e TVSH-së mund të prekë konsumatorin. Konkretisht, kërkesa e avokatëve për të mos qenë pjesë e TVSH-së argumentohet me faktin që kjo do të rëndonte mbi ta.

Në takim pati diskutime dhe propozime konkrete nga ekspertët ekonomikë dhe kontabilistët pjesëmarrës, që do t’i përcillen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

K.H.