Policia zjarrfikëse e Durrësit ka nisur kontrollet në qytet për të gjithë ata që tregtojnë fishekzjarre apo materiale pirroteknike, e që mund të bëhen shkak i aksidenteve të mundshme.

Fatmir Tare nga shërbimi zjarrfikës ka shpjeguar se cilat janë fishkzjarret dhe kapsollat e rrezikshme që tregtohen në treg, e mund të përbëjnë rrezik për konsumatorët, duke sjellë në vëmendje rastin e plagosjes së punonjëses së policisë së Tiranës pak ditë më parë në protestë me banorët e Astirit.

Tare tha se në çdo subjekt do të bëhet bllokim i sasisë së rrezikshme të fishekzjarreve. Në qytetin e Durrësit, Krujës dhe Shijakut janë kontrolluar ditët e fundit 34 subjekte të ndryshme (dyqane, supermarkete dhe pika shumicash).

Si rezultat i kontrolleve deri më tani nuk janë konstatuar kapsolla apo fishekzjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën.

Gjithashtu kontroll u ushtrua edhe në lidhje me elementët e sigurisë me të cilat duhen të jenë të pajisura subjektet tregtare siç janë kamerat e vëzhgimit apo pajisja me fikëse zjarri.

K.H.