Detaje të reja janë zbardhur lidhur me aksionin e sotëm të Policisë së Shtetit, i zhvilluar me urdhër të SPAK.

Bëhet me dije se në kuadër të këtij operacioni janë ekzekutuar 8 masa sigurie, të cilat prekin emra të njohur të botës së krimit, por edhe persona të tjerë të lidhur me ta.

Sipas të dhënave, një ndër personat kryesorë që po hetohet është Aleksandër Laho, i njohur me disa identitete, mes tyre edhe si “Rrumi”. Ai akuzohet për tjetërsim pronash dhe veprimtari në kuadër të një grupi kriminal, por aktualisht ndodhet në kërkim.

Në pranga kanë rënë edhe disa bashkëpunëtorë të tij, si: Vullnet Muça, vëllai i “Rrumit”, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume dhe Vlash Draçi.

Gjithashtu, mes të akuzuarve është edhe Astrit Avdyli, i cili tashmë ndodhet në burg për vepra të tjera penale, por ndaj tij rëndon edhe akuza për vrasje në kuadër të grupit kriminal. Në kërkim është shpallur Aldo Avdyli, i akuzuar për të njëjtën vepër.

Ndërkohë, masë sigurie ka marrë edhe Edlira Avdyli, ndaj së cilës është vendosur ndalimi për të dalë jashtë vendit.