Pas dëgjesës publike në kanionin e Holtës në rrethin e Gramshit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Mjedisit, Blendi Klosi kanë zhvilluar një tjetër bashkëbisedim, kësaj radhe me banorët e fshatit Labinot Mal në qarkun e Elbasanit, për të dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me çështjen e ujit të burimit të fshatit, i cili i është dhënë kompanisë “Labinot Fushe shpk” për të ndërtuar HEC.

Gjithashtu ministrat i kanë informuar banorët lidhur me aksionin më të fundit të Qeverisë për kontrollin e ligjshmërisë së zbatimit të kontratave të HEC-ve në të gjithë vendin.

Banorët janë shprehur se uji i burimit është jetik për ta dhe se marrja e tij do ta bënte të pamundur jetesën në një zonë të thellë malore siç është ajo e Labinot Mal. Ata kërkuan nga ministrat që problemi i tyre të trajtohet me seriozitet dhe në të njëjtën kohë shprehën besimin se me vullnet të mirë qeveria mund ta zgjidhë këtë problem.

Duke marrë fjalën në takim ministrja Balluku ka thënë: “Duhen respektuar kontratat të cilat janë lidhur për krijimin apo zhvillimin e këtyre HEC-eve. Sepse shpesh ndodh, që duke vënë HEC-et në punë kanë ngelur fshatrat pa ujë, pa ujë vaditje, pa ujë të pijshëm dhe sidomos përsa i përket blegtorisë.

Ajo më tej ka shpjeguar hapat ligjorë që janë ndërmarrë për kontratave. “Ne kemi ngritur grupe pune, AKBN-ja e cila ka tagrin për të monitoruar HEC-et, bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe me një grup të përbashkët nga Ministria e Mjedisit, kemi nisur punën për ti skanuar të gjitha këto HEC-e”.

Duke folur për kostot e këtij aksioni, ministrja Balluku theksoi: “Do jenë vendime të cilat nuk mund ti krijojnë kosto buxhetit të shtetit, pra ne nuk do të prishim kurrë në mënyrë arbitrare kontratat, por nga ana tjetër jemi të predispozuar plotësisht për të mbrojtur të drejtat e banorëve kudo që ato ndodhen dhe për të ruajtur pjesën mjedisore e cila vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë edhe për vetë ju”.