Aksioni për “Pastrimin e Shqipërisë që duam” do të nisë nga guroret ka deklaruar ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Ai foli për kritere të reja dhe të qarta që duhet të zbatohen nga të gjithë ata që do marrin leje mjedisore, ndërsa paralajmëroi prerë se s’do ketë më 1 mijë të tilla.

“Duhet të ketë disa kritere se ku nuk do gërmohet, se kriteret që kanë qenë nuk janë zbatuar deri më tani. Përgjegjësinë e mbajmë mbi vete. Do të jetë një sistem konkurrent me pagesa më të larta. Në fund të fundit s,do lejojmë që për të bërë biznes, ai që ka gurore të shesë mjedisin që përfaqëson jetën e përditshme të qytetarëve të këtij vendi. Kemi 1 mijë leje mjedisore nuk do jenë më kaq shumë”,- tha ai

Klosi tha se pritshmëria është që më 1 qershor të vitit që vjen, vendi të jetë shumë më i pastër, pasi ndotja ka qenë një nga problematikat më të mëdha të paraqitur nga turistët.

Me rëndësi, sipas Klosit, është që ky operacion të mos ndodhë vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në komuna, ku të goditen faktorët që shkaktojnë papastërtitë.