10 ditë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama mbi nisjen e aksionit kombëtar për ujin e pijshëm, pranë sporteleve të Ujësjellës Kanalizime Durrës është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të qytetarëve që po interesohen për hapjen e kontratave të reja dhe pagesën e detyrimeve të prapambetura.

Nëse në ditë normale numri i aktmarrëveshjeve ka qenë 2-3 të tilla në ditë, tashmë kjo shifër është rritur ndjeshëm. Vetëm në tre ditët e fundit pranë sporteleve të UKD-së janë lidhur 39 aktmarrëveshje, ndërkohë që janë bërë edhe 51 aplikime për hapjen e kontratave të reja si dhe vendosjen e 82 matësve të ujit.

Burime nga sektori i shërbimit të klientit pranë UKD-së bëjnë me dije se gjatë ditëve të para të muajit nëntor janë paraqitur edhe 14 qyetarë që kanë aplikuar për pika lidhje për furnizim me ujë të pijshëm. Gjatë vitit të kaluar Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nënshkruar 514 aktmarrëveshje në total me qytetarë që kanë fatura të papaguara ndër vite, duke paguar tashmë debinë e mbartur me anë të kësteve.

UKD iu bën thirrje debitorëve si dhe personave të tjerë që nuk kanë matës për ujin e pijshëm apo që kanë lidhje të paligjshme që të paraqiten pranë sporteleve të Ujësjellësit për të rregulluar gjendjen e tyre duke bërë aplikimet e duhura.

Gjatë takimit të zhvilluar disa ditë më parë me kryetarët e bashkive, drejtuesit e ujësjellësave si dhe kryeministrin Edi Rama, është vendosur që qytetarëve t’iu lihet afat deri më 1 shkurt 2018 për të ndërmarrë vetë veprimet për eliminimin e paligjshmërisë në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm, pasi pas kësaj date abuzuesit do të denoncohen dhe dërgohen për ndjekje penale.