Të gjithë lavazhet që funksionojnë në Durrës kanë afat deri në fund të muajit për të gjetur burime alternative për furnizimin me ujë, pasi Ujësjellësi i Durrësit ka bërë të ditur se nuk do t'i furnizojë më.

Sipas kodit të ujit lavazhet që funksionojnë për larjen e automjeteve nuk duhet të furnizohen me ujë të pijshëm. Në ditën e shtatë të aksionit grupet task-forcë të ujësjellësit kanë kryer kontrolle në disa lavazhe tek Ura e Dajlanit, ku dy prej tyre janë gjetur me lidhje të paligjshme. 

Kryeinxhinieri i UKD, Gerald Dautaj tha se ky aksion ka dhënë efektet e veta pasi shumë biznese janë paraqitur për hapjen e kontratave dhe pagesën e debive të mbartura, ndërkohë që paralajmëroi se bizneset e lavazheve do të furnizohen me ujë deri në fund të këtij muaji.

Katër grupet task forcë që operojnë në terren kanë kontrolluar dhe verifikuar rreth 350 subjekte në gjithë zonën që mbulohet me shërbim nga Ura e Gjoles deri tek Përroi i Agait në shkëmbin e Kavajës.

Për bizneset që janë gjetur me shkelje janë bërë procedimet penale, ndërkohë që në aksionin e sotëm kanë qenë të pranishëm edhe oficerët e policisë gjyqësore për nisjen e procedimeve.