Agur Vrenozi, babai i 4 fëmijëve ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të shtune.

54-vjeçari mbeti i plagosur me armë zjarri, teksa ndërhyri për të ndihmuar pronarin e këmbimit valutor, gjatë një grabitjeje me armë të ndodhur paraditen e së premtes në qytetin e Fierit.

Ai u dërgua në gjendje kritike në Spitalin e Traumës, por pavarësisht ndihmës së stafit mjekësor nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Vrenozi ishte tregtar dhe mik i pronarit të pikës së këmbimit valutor, që një ditë më parë ishte shënjestër e 3 grabitësve, të cilët të armatosur me kallashnikov arritën të merrnin një sasi të konsiderueshme parash.

Bashkë me Vrenozin, i plagosur mbeti edhe pronari i pikës së këmbimit valutor, Gëzim Hoxha, 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, pak pas ngjarjes policia arrestoi 3 autorët e dyshuar Zini Fyraj, 37 vjeç, Lulëzim Demiraj dhe Dashamir Gergali, 41 vjeç.