Inspektori Klajdi Mustaj, i cili shpëtoi tre qytetarë të plagosur gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier, ku automjeti rrezikoi të përfshihej nga flakët, mori vlerësimet më të larta sot nga drejtuesit e policisë, por edhe nga mijëra qytetarë shqiptarë, që në rrjete sociale përshëndetën aktin e tij heroik.
Një tjetër vlerësim iu bë efektivit Mustaj edhe nga Kryeministri Edi Rama.
Kreu i ekzekutivit, përmes një postimi në rrjete sociale ka vlerësuar aktin heroik të efektivëve të policisë gjatë kohëve të fundit, i pari Agim Troci që u plagos duke luftuar me flakët në Sarandë dhe i dyti Klajdi Mustaj, që shpëtoi 3 udhëtarë teksa makina e tyre pas aksidentit mori flakë në aksin Levan-Fier.
Kreu i qeverisë tha sot se Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, por edhe nga gra, vajza, djem dhe burra që punojnë me përkushtim dhe nga heronj si dy rastet e mësipërme.
“Kur një punonjës policie turpëron uniformën, me të drejtë të gjithë revoltohemi dhe padrejtësisht shumëkush shan të tërë policinë, por Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, po nga mijëra burra, djem e vajza që punojnë me përkushtim, në mes të të cilëve ka edhe heronj si Agim Troci, i cili u hodh në zjarr për të shpëtuar nga zjarri të tjerët apo si Klajdi Mustaj, të cilit i jemi të gjithë mirënjohës për forcën e madhe të shembullit në shpëtimin e tre qytetarëve të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier”, shkruan kryeministri.
Efektivi Mustaj, i cili u kthye në heroin e ditës, është ish-student i diplomuar në degën e Kriminalistikës në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Me kurajon e treguar në një moment mjaft kritik, ku jeta e 3 qytetarëve rrezikohej shumë, Mustaj dëshmoi se përgatitja e lartë profesionale, e marrë në auditoret e Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, i mundësoi të vinte në pah jo vetëm aftësitë teknike, por edhe personalitetin e një të riu me shpirt sakrifice.





