Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se shëndetësia është një nga sektorët kryesorë që do të mbështetet përmes Aktit Normativ të fundvitit, të miratuar së fundmi nga qeveria, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.
Sipas tij, sektori i shëndetësisë do të përfitojë një mbështetje shtesë prej 18 milionë eurosh, fonde që do të përdoren kryesisht për sigurimin e barnave në spitalet publike, me qëllim përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se pushteti vendor do të përfitojë nga ky Akt Normativ, duke u mbështetur me rreth 1,2 miliardë lekë shtesë. Këto fonde do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve më të vjetra të prapambetura të bashkive.
“Në total, vlera që po i alookojmë pushtetit vendor është e barasvlefshme me rreth 40 për qind të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se këto janë vetëm disa nga politikat e parashikuara në Aktin Normativ, të cilat synojnë garantimin e përdorimit të fondeve publike aty ku nevoja është më e madhe.
Sipas ministrit, Ministria e Financave mbetet e angazhuar për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe për të zbatuar politika që synojnë rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të vendit.





