ITALI, 24 shkurt 2013 – Tre femra, anëtare të grupit feminist Femen, kanë protestuar sot topless në momentin kur lideri i PdL-së, Silvio Berluskoni u paraqit për të votuar në qendrën e tij të votimit. Njëra nga vajza ishte franceze, ndërsa dy të tjerat me kombësi ukrainase. Të treja aktivistet e Femen nga 20-25 vjeçe janë shoqëruar për në kuesturë, për t’u identifikuar.
Tre vajzat e lëvizjes së krijuar në Ukrainë në vitin 2008 rrezikojnë të akuzohen për rezistencë ndaj forcave të rendit. Të treja ndodheshin mes grupit të gazetarëve në shkollën ku do të votonte Berluskoni. Sapo kanë parë ish kryeministrin italian të futej në qendrën e votimit, ato kanë hequr rrobat që mbanin veshur dhe janë sulur drejt tij duke shtyrë bankat e shkollës që ishin vendosur para njerëzve të shtypit, por janë neutralizuar menjëherë nga forcat e rendit dhe janë shoqëruar jashtë ambineteve të shkollës. Dy prej tyre kanë shfaqur rezistencë ndaj forcave të rendit dhe kanë kundërshtuar me thonj dhe shkelma policët që po tentonin t'i fusnin në makinat e policisë.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/