PESHKOPI, 17 mars 2013 – Për një “rilindje” shqiptare që kapërcen kufijtë e mbështetësve të opozites. Me prirje politike të djathta, rreth 200 aktivistë të Partisë Demokratike në Peshkopi i janë bashkuar misionit të Partisë Socialiste me besimin se kjo ndërmarrje politike i shërben të gjithë shqiptarëve. 

Nën moton “Të djathtët për Rilindje”, është organizuar nga Hekuran Vladi, një nga aktivistët më të spikatur të PD-së në vite në Peshkopi, si dhe një nga drejtuesit kryesorë të fushatës së kësaj partie në 2009, takimi me ish-themelues të PD-së, ish-drejtues të seksioneve dhe grup-seksioneve, si dhe ish-mbështetës të kësaj partie në rrethin e Dibrës, takim ku mori pjesë edhe kreu i opozitës, Edi Rama. Kjo nuk është e djathta për të cilën ata thanë se kanë kontribuar ndër vite.

Vladi theksoi: “Unë jam demokrat sepse dua votën e lirë dhe një treg të lirë pune dhe mallrash. Dua një gjykatë që të më shërbejë të drejtën dhe jo padrejtësinë.”

Mentor Dumazeti, mësues në pension dhe themelues i PD-së në Dibër, deklaroi: “Kjo mazhorancë ka dështuar në të gjitha drejtimet. Shqipëria është zhytur në kaos dhe anarki.”

Uarda Hoti, lektore në Universitet, tha: “Është e turpshme që shkollat dhe universitetet po politizohen dhe po humbasin misionin e tyre fisnik.”

Baki Bajraktari, sekretar i Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës dhe themelues i PD-së në Bulqizë, u shpreh: “Bulqiza ka vuajtur shumë dhe kur protestuam para dyerve të kryeministrisë për pesë ditë e pesë net, Sali Berisha nuk na kushtoi as pesë minuta kohë për të folur edhe pse e dinte që të gjithë ne ishim anëtarë të Partisë Demokratike.”

Edi Rama përshëndeti rritjen e vetëdijes qytetare te shqiptarët, të cilët nuk duhet të lejojnë më të trajtohen thjeshtë dhe vetëm si zgjedhës. Por, kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme nga partia në pushtet, tha ai, pasi sa më të varfër dhe sa më në errësirë t’i mbajë shqiptarët, aq më lehtë i manipulon. 

Misioni i Partisë Socialiste, tha Edi Rama, është ndërtimi i një marrëdhënieje angazhimi reciproke me qytetarët shqiptarë: “Unë besoj që kurajoja qytetare dhe vetëdija qytetare duhet të triumfojë përmes shembullit dhe jam i bindur se shembulli juaj do të frymëzojë edhe të tjerë për të dalë hapur nga rreshti, jo në emër të Partisë Socialiste, por në emër të nevojës për të pasur një marrëdhënie të re me partitë që kërkojnë votën për të qeverisur.”

/Top Channel/