Makina e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Skënder Hyseni, është goditur me bojë nga disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, krerët e kësaj force politike kanë komunikuar se sulmi është ndërmarrë për shkak të urdhrave të firmosur nga ministri Hyseni për ndalimin e hyrjes në Kosovë të disa anëtarëve të kësaj force politike, përfshirë Dejona Mihalin, Boiken Abazin, Arbër Zaimin, etj.

Autoritetet kanë bërë me dije se ende nuk kanë mundur që t’i identifikojnë personat që qëndrojnë pas këtij veprimi, por bëhet me dije se zyrtari i qeverisë u dërgua menjëherë në një vend të sigurt.

Zyrtarët e VV-së kanë kërkuar shfuqizimin urdhrave për ndalimin e hyrjes në Kosovë për aktivistët pasi sipas tyre, këto veprime do të përsëriten dhe aksionet e anëtarëve të kësaj force politike nuk do të ndalen me kaq.

Kjo nuk është hera e parë që aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje sulmojnë zyrtarë të qeverisë. Më herët ata kanë goditur me vezë e madje edhe kanë dëmtuar makinat e anëtarëve të kabinetit Mustafa.