SIRI- Aktivistë të opozitës siriane bënë të ditur vdekjen e një gazetari francez me origjinë nga Belgjika, përderisa po mbulonte luftimet ndërmjet trupave qeveritare dhe kryengritësve në qytetin verior të Alepos.
Aktivistë kundër regjimit të Asadit në Alepo raportuan sot se Yves Debay ishte vrarë të enjtën nga një snajperist i ushtrisë siriane.
Pavarësisht se ky informacion nuk mund të konfirmohet, aktivistët kanë postuar në internet fotografi të gazetarit Debay dhe kartelën e tij identifikuese dhe po ashtu një video amatore që tregon trupin e tij të pajetë. Qeveria siriane ende nuk ka bërë asnjë koment.
Debay është themelues i revistës franceze për çështje të sigurisë“ Assaut” .
Sipas organizatës Reporterët pa Kufij, me seli Paris, së paku 17 gazetarë profesionistë kanë vdekur gjatë raportimit nga konflikti në Siri.