Një gjykatë ushtarake në qytetin rus, Samara, dënoi më pesë vjet burgim aktivistin kundër luftës, Andrei Boyarshinov nga rajoni i Tatarstanit. Boyarshinov u dënua më 7 maj nën akuzat për justifikim të terrorizmit dhe thirrjeve për terrorizëm.
Akuzat erdhën pas postimeve në internet që Boyarshinov bëri në vitin 2022 në mbështetje të tubimeve në qytetin e Kazanit për protesta kundër pushtimit të vazhdueshëm rus të Ukrainës. Boyarshinov u arrestua më shumë se dy vjet më parë. Vitin e kaluar, grupi i të drejtave të njeriut, Memorial, e njohu atë si të burgosur politik.
Dhjetëra grupe për të drejtat e njeriut, organizata bamirëse dhe organizata të tjera joqeveritare në vjetët e fundit janë shpallur “agjentë të huaj” apo janë shpallur të paligjshme si “organizata të padëshirueshme”. Shumë prej tyre janë mbyllur.
Në dhjetor të vitit 2021, një gjykatë në Moskë urdhëroi mbylljen e Memorialit, një prej organizatave më të vjetra dhe më të njohura për të drejtat e njeriut në Rusi. Disa muaj pas vendimit të gjykatës në Moskë, kjo organizatë më 2022 fitoi Çmimin Nobel për Paqe.
Bashkëudhëheqësi i organizatës, Oleg Orlov, 70 vjeç, në muajin shkurt u dënua me dy vjet e gjysmë burgim për shkak të kritikave ndaj luftës në Ukrainë. Një tjetër udhëheqës i grupeve për të drejtat e njeriut, Grigory Melkonyants është i burgosur./Rel/