Greta Thunberg është shpallur fajtore dhe është dënuar për mosbindje të urdhrit policor për t’u larguar nga një protestë për klimën në qytetin e Malmos, muajin e kaluar.

Aktivistja suedeze për klimën është deklaruar e pafajshme. “Veprimet e mia janë të justifikueshme”, i ka thënë ajo gjykatës, sipas gazetës Sydsvenskan.

Gjoba ndaj saj do të bazohet në të ardhurat që i ka Thunberg. Ajo ka qenë pjesë e një grupi të protestuesve që e kanë bllokuar një rrugë për kamionët e ngarkuar me naftë.

Thunberg është akuzuar për mosbindje kur policia i ka dhënë urdhër. “Unë besoj që jemi në një urgjencë që kërcënon jetën, shëndetin dhe pronën”, ka thënë ajo para gjykatës, duke shtuar se “numër pafund i njerëzve”, janë në rrezik.