21 korrik 2015 – “Dita e basketbollit”, kështu e kanë cilësuar drejtuesit e Akademisë “Goga Basket” aktivitetin e sotëm zhvilluar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit me pjesëmarrjen e të gjitha ekipeve të akademisë për djem dhe vajza në grupmoshat 8 deri 16 vjeç.
Masivitetit të ekipeve të akademisë iu bashkuan dhe dy ekipe të kryeqytetit, “Superior Basket” U-14 dhe “Sonja Basket” U-16.
Nën drejtimin e një grupi trajnerësh të akademisë me në krye drejtorin teknik të saj Pjerin Bushati, ekipet e ndara sipas grupmoshës, përveç disa ndeshjeve të luajtura përbrenda akademisë, u zhvilluan dhe disa ndeshje miqësore me dy ekipet e ardhura nga kryeqyteti.
Drejtori teknik i Akademisë “Goga Basket” Pjerin Bushati, një emër mjaft i njohur në basketbollin shqiptar me fanellën e “Partizanit” në vitet ’80, 13 herë kampion i vendit me këtë skuadër u shpreh se janë vetëm në hapat e para në hedhjen e bazave të shëndosha për ringritjen e basketbollit në Durrës.
“Ky është aktiviteti ë parë në këto përmasa dhe të tjera aktivitete kemi planifikuar në të ardhmen. Ne duhet të mbështetemi te sektori i ekipeve zinxhir pasi aty nis dhe cikli i një historie suksesi. Me hedhjen e bazave të shëndosha në këtë sektor garantojmë të ardhmen e basketbollit durrsak për ta ngritur nivelin e tij në majat më të larta të basketbollit shqiptar. Për këtë, ne kemi kërkuar bashkëpunimin e të gjithë specialistëve dhe veteranëve të baskebollit durrsak. Tashnme projektit tonë i janë bashkuar emra të tillë si Niko Profkola, Nusret Reka, Ylli Ballanca, Besnik Cela, Sabri Rustemi, Zhani Noti, Ardian Veliaj, Gjon Luli, Haxhi Boshnjaku e deri më të rinjtë si Alban Kastrati, Osvald Turmalaj etj, të cilët me eksperiencën e tyre do t’i japin një shtysë të madhe zhvillimit të akademisë. Po përpiqemi të krijojmë një model të ngjashëm me akademitë më të zhvilluara në Europë”, mbyll prononcimin e tij Pjerin Bushati
Ndërkohë Ledina Koçi në këtë aktivitet, në cilësinë e kryetrajneres së ekipit nga Tirana “Superior Basket”, ndër specialistet tona më të kualifikuara të basketbollit e liçensuar si trajnere ndërkombëtare, e vlerësoi mjaft pozitivisht aktivitetin e iniciuar nga akademia “Goga Basket”.
“E mirëpritëm ftesën e drejtuesve te akademisë për të qenë pjesëmarrës në këtë aktivitet që është për t’u përgëzuar. Eshtë hera e parë që organizohet një aktivitet i tillë me grupmoshat e vogla në këto përmasa me një pjesëmarrje kaq të gjerë, kemi zhvilluar më parë aktivitete, por me mosha më të rritura. Besoj se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që do vijë duke u forcuar në të ardhmen, pasi i shërben jo vetëm njohjes dhe miqësisë midis fëmijëve, por dhe rritjes së masivitetit në grupmoshat më të vogla”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/