Në kuadër të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës në bashkëpunim me të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, si dhe shkollën artisitike “Jan Kukuzeli”, organizojnë koncerte të ndryshme artistike.
Fëmijët kanë përgatitur nën kujdesin e mësuesve të tyre organizatorë: këngë, valle e kërcime për të perfomuar në koncertet kushtuar festave.
Avni Çuni, drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, në një prononcim për “DurrësLajm”, thekson se aktivitetet e kësaj jave nuk kanë qenë vetëm me këngë partizane dhe korale, por kanë pasur larmishmëri, duke përmendur këtu edhe kampionatin e futbollit për vajza ndërmjet shkollave 9-vjeçare të qytetit.
Gjithashtu është zhvilluar edhe konkursi i poezisë dhe esesë më të mirë, pikturës etj.
Blerina Dervishi, drejtoresha e shkollës së mesme teknologjike “Hysen Çela”, shoqëronte nxënësit e saj që morën pjesë me një numër artistik të shkëlqyer, nën interpetimin e filmit “Nëntori i dytë”. Ajo ka një falënderim publik për të gjithë nxënësit dhe mësuesit që u kujdesën të sillnin me seriozitet punë artistike në aktivitetet kushtuar festave të fund nëntorit.