Aktori ikonë francez Alain Delon u bë i famshëm nga filmat si Purple Noon (1960), Rocco and His Brothers (1960), L’Eclisse (1962), Leopardi (1963) dhe shumë të tjerë.
Aktori veteran së fundmi ka vendosur që në një të ardhme të afërt t’i drejtohet eutanazisë.
Mësohet se Alain ka vendosur t’i japë fund jetës së tij vullnetarisht. Ai ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është duke u përkeqësuar dhe nuk e lejon më të veprojë si më parë.
Sipas raportimeve të RTL, aktori 86-vjeçar, Alain Delon dëshiron të vdesë vullnetarisht në mënyrë që të shpëtojë nga vuajtja e ndonjë sëmundjeje.
Prandaj, ai synon të përdorë procedurën e eutanazisë në të ardhmen e afërt. Eutanazia është praktika e përfundimit të qëllimshëm të jetës për të lehtësuar dhimbjen dhe vuajtjen.
Në disa vende kjo procedurë lejohet, ndërsa në disa është e ndaluar. Një numër vendesh lejojnë gjithashtu eutanazinë pasive.
Aktori legjendar i ka kërkuar edhe djalit të tij Anthony Delon që ta shoqërojë deri në fund siç u zbulua në një intervistë për RTL, duke shtuar se ai nuk pranoi të “ekzekutonte” të atin.
Për të paditurit, legjenda e kinemasë franceze dhe një nga meshkujt më të pashëm në historinë e kinemasë, vitet e fundit ka pasur probleme shëndetësore dhe në vitin 2019 ka pësuar një goditje të dyfishtë.
Ai aktualisht jeton në Zvicër, ku procedura e eutanazisë është e ligjshme dhe e lejuar.