Hollywood-i ka humbur një nga figurat e tij më të forta dhe më të paharrueshme. Aktori legjendar Michael Madsen, i njohur për rolet në “Reservoir Dogs,” “Kill Bill” dhe “Donnie Brasco,” është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare në Malibu, Kaliforni.

Autoritetet e Los Angeles County konfirmuan se Madsen u gjet pa ndjenja mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij në Malibu dhe u shpall i vdekur në orën 8:25. Shkak i vdekjes ishte një arrest kardiak, dhe nuk ka dyshime për veprim kriminal.

Filmografia e Madsen përfshin mbi 300 role, përfshirë pjesëmarrje në “WarGames,” “The Doors,” “Sin City,” “Die Another Day”. Roli si Mr. Blonde në “Reservoir Dogs” dhe Budd në “Kill Bill” i siguruan një vend të veçantë në historinë e kinemasë.
Por Madsen është përballur edhe me shumë sfida personale. Në 2022, e goditi humbja tragjike e djalit, ndërsa viti 2024 solli një proces divorci dhe incidente ligjore, përfshirë një arrest për dhunë në familje.

Përpos filmave të ardhshëm si “Resurrection Road” dhe “Cookbook for Southern Housewives”, ai po përgatiste edhe librin me poezi “Tears For My Father: Outlaw Thoughts and Poems” me parathënien e Tarantinos.