Shyqyri Çaushaj, është djaloshi nga Skrapari që po bën emër në Turqi. Të gjithë e njohim nëpërmjet telenovelave që ai ka luajtur. Këtë herë aktori është kthyer në vendlindje për të kaluar pushimet e verës. Edhe pse një emër shumë i njohur në shtetin fqinj, ai ka zgjedhur fshatin e lindjes për të pushuar. Për “Summer Pages”, ai tregon për studimet e mbaruara, serialin e fundit që përfundoi atje si dhe sfidat e jetës dhe karrierës që për të nuk kanë qenë dhe aq të thjeshta, por duket se ia ka dalë të shndërrohet në një emër shumë të dashur për publikun turk dhe jo vetëm. Një nga meshkujt më simpatik të momentit, nuk ka zgjedhur të zbulojë asgjë nga jeta private, duke na lënë kështu mister emrin e bukuroshes përkrah tij.

Si po ecën karriera në Turqi, sa je i kënaqur me zhvillimet, ke diçka për të cilën je penduar. Ju njëkohësisht edhe mbaroni studimet atje, pse pikërisht Turqia?

Kam investuar në arsim dhe eksperiencë pune atje dhe më pëlqen të shijoj progresin profesional hap pas hapi me hapa të vogla dhe deri tani jam i kënaqur sepse gjithmonë kam bërë projekte që kam dashur e jo që duhen, nuk jam aspak pishman përkundrazi mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur duke parashikuar kohë më parë rritjen e madhe të sektorit kinematografik në Turqi, duke investuar për veten në këtë fushë që në fillimet e mia profesionale.

Është vend i mundësive, sa të kanë hapur derën dhe si të kanë mirëpritur?

Unë pasi u diplomova në Akademinë e Arteve në degën e Regjisurës dhe Teatrit shkova në Stamboll për studime master dhe këto studime pasuan studimet e doktoraturës në kinema, për momentin kam mbaruar vitin e parë me gjitha provimet dhe kam nisur punën kërkimore shkencore me temën “Drejtimi i aktorit në kinema dhe marrëdhënie profesionale e regjisorit me aktorin”. Turqia me epiqendër Stambollin është një Amerikë e vogël në shumë drejtime, e në drejtimin e serialeve apo kinemasë është një Hollivud i Europës lindore, mendoj unë, kështu që mundësitë janë të mëdha, por që ashtu edhe konkurrenca. Mund të them që nuk ka qenë aspak e lehtë dhe nuk të hap kushdo derën, por duhet të trokasësh disa herë derisa të blesh çelës për të hapur atë derë, pasi e hap këtë derë sigurisht që të mirëpresin në funksion të punës dhe aftësisë që ke, më e vështirë është të mbash suksesin se sa të arrish atë.

Na fol pak për projektin e fundit që mesa e dimë ka nisur transmetimin, çfarë pret nga ky projekt?

Projekti i fundit serial televiziv ka qenë ai i “Göç zaman” ku pata një personazh antagonist që filloi me pak skena në fillim, por më pas ngjarjet u zhvilluan në funksion të personazhit që luajta unë dhe në fund filmi mbyllet me vrasjen e të gjithë kastit të aktorëve prej meje, pra nuk ishte një “happy end”. Ky serial u mirëprit nga publiku duke u shfaqur 15 seri deri në fund të sezonit, nuk kam informacione në lidhje me transmetimin e tij në shtete ballkanike, kjo është një gjë që ju përket drejtorëve të programacionit në televizionet shqiptare.

Tani jeni me pushime këtu, si kalon dhe me kë i kalon?

Për momentin jam me pushime, pushimet i kaloj me familjen në Shqipëri. Larg ndotjeve akustike dhe të ajrit në fshatin Malind të Skraparit, unë aty kam lindur dhe marr një kënaqësi tepër të madhe kur shkoj me familjen, më thërrasin gjithmonë rrënjët, aty ndihem vetja, nuk duhet të harrojmë kush jemi dhe nga jemi sepse është pikërisht ky fakt i cili do të na ndërtojë të ardhmen për të ecur përpara.

Nuk ke folur aspak mbi jetën private, do na zbulosh në këtë intervistë, ke ndonjë femër në krah?

Jeta ime private është nga vetë fjala private, mund të them që jam i lumtur dhe i kënaqur e mirënjohës Zotit për familjen që kam dhe shembullin që kanë qenë për mua, është moment përkushtimi në arsim dhe punë i jetës time, më pëlqen të njoh njerëz të rinj, kultura të reja dhe t’i marr jetës maksimumin duke e jetuar secilën ditë sikur të ishte e fundit pa harruar përgjegjësinë që do zgjohemi edhe nesër…