TURQI, 23 mars 2013 – Seriali, i cili transmetohet në më shumë se 50 shtete të botës e me mbi 200 milionë shikues, këtë radhë do të mirëpresë edhe një shqiptar. Bëhet fjalë për aktorin e njohur shqiptar nga Shkupi, Luran Ahmeti, i cili do të jetë pjesë e serialit turk “Sulltani i madhërishëm”.
Produksioni ende nuk ka zbuluar diçka rreth skenarit, por për karakterin që do të aktrojë Lurani, thonë se bëhet fjalë për një nga pashallarët që do të futet në oborrin e sulltanit dhe shumë shpejt do të shpallet vezir. Në një serial të këtij niveli, Lurani është i vetmi shqiptar që angazhohet, edhe pse së fundi pjesë e serialeve turke është bërë edhe aktori i njohur, Nik Xhelilaj.
Ftesa për te ky serial atij i është bërë pas pjesëmarrjes në disa seriale të tjera turke si “Evlada Rumeli”, “Vera e fundit në Ballkan”, si dhe pas suksesit në filmin hollivudian “Taken 2”.
Lurani është aktori i katërt që angazhohet në këtë projekt të madh, pasi aty aktrojnë dhe aktoret turke me prejardhje nga Maqedonia, Filiz Agmet, Sabina Ajrulla Tozija dhe Ermal Shaban.





