Një gjykatë në Francën veriore e ka dënuar aktoren Brigitte Bardot me një gjobë prej 5 000 eurosh për fyerjen e shefit të Federatës Franceze të Gjuetarëve.

Ikona e viteve ’60 do të duhet të paguajë gjithashtu, edhe 1 000 euro dëmshpërblim për Willy Schraen, si edhe 1 000 euro për shpenzimet ligjore.

Gjykata e Arrasit gjithashtu e urdhëroi Bardot të fshijë brenda 15 ditëve nga editoriali i botuar në faqen e internetit të fondacionit të saj për mbrojtjen e kafshëve, të gjitha pjesët e gjykuara fyese dhe t’i zëvendësojë ato me një referencë në gjykim. Gjoba do të rritet me 100 euro për çdo ditë vonesë.

Në një editorial të botuar në tetor 2019, ende i arritshëm sot në faqen e internetit të fondacionit, Brigitte Bardot i kishte cilësur gjuetarët si “nënspecie frikacakësh të neveritshëm” dhe “terroristë të botës së kafshëve”, duke e cituar presidentin e federatës së tyre, Willy Schraen, si një “shembull flagrant”.