TIRANE, 7 prill 2013 – Me një rol të pëlqyer në spektaklin e humorit “Portokalli”, aktorja e njohur si Luzja, ka famën e dëshiruar në galerinë e shumë personazheve të tjerë që ajo sjell në këtë shoë televiziv.

Renada Caci për herë të parë, pranon të flasë për jetën private për gazetën “Panorama”. Gjatë intervistës aktorja e humorit rrëfen për dashurinë me balerinin tetë vite më të vogël, Klinton Zeqiraj. Ajo tregon për këtë lidhje të pazakontë në sytë e të tjerëve dhe çfarë e bën atë të lumtur në këtë histori.

Siç rrëfen ajo vetë, me Klintonin është njohur përmes një shoqeje të saj dhe menjëherë ka kuptuar se diçka do ndodhte mes tyre. Renada rrëfen se po përjeton një lidhje të bukur dhe se kishte kohë që nuk ndihej aq mirë pranë dikujt. Megjithëse me një diferencë jo të vogël në moshë duket se çifti ka gjetur sintoninë e duhur.

“Te Klintoni më pëlqen në radhë të parë sinqeriteti i tij, sepse është shumë e vështirë që sot një mashkull t’i ketë të dyja, dhe fizikun dhe sinqeritetin. Por, nga ana tjetër, pëlqej dhe mirësinë që e karakterizon si person”,- thotë Renada për të dashurin.

Ndërsa nuk i pëlqen të bëjë plane për të ardhmen, ajo shprehet se të dy po e shijojnë lidhjen dhe se mundohen të kalojnë sa më shumë kohë pranë njëri-tjetrit.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/