Legjenda e kinematografisë italiane, Gina Lollobrigida, ka bërë të ditur se do të jetë kandidate në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Itali, më 25 shtator, sepse është “lodhur nga grindjet e politikanëve”.
Ish-seks simboli i kinemasë botërore po përpiqet të zgjidhet deputete me ISP-në, një aleancë e re politike euroskeptike kundër Mario Draghit, e cila kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë dhe “atlantizmin ushtarak”.
95-vjeçarja, në një intervistë për Corriere della Sera italiane, tha se ishte frymëzuar nga Mahatma Gandhi dhe nga “mënyra se si ai i bënte gjërat, duke mos përdorur dhunën”. Ajo shtoi gjithashtu se ishte një “shoqe e ngushtë” e kryeministres së parë femër të Indisë, Indira Gandhi.
Ajo tha në intervistë se ishte “e vendosur të qëndronte kreative” dhe tani dëshiron të përdorë një pjesë të kësaj energjie “për gjëra të rëndësishme, veçanërisht për vendin tim”.
Hera e fundit që Gina Lollobrigida tentoi të hynte në politikë ishte në vitin 1999, kur ajo kandidoi në zgjedhjet evropiane si kandidate për Demokratët e Prodit, sipas një raporti të Guardian.
Partitë kanë afat deri më 22 gusht për të plotësuar listat e kandidatëve.