Aktorja dhe regjisorja Ilire Vinca ka reaguar në lidhje me postimin e kryeministrit Rama i cili e citoi atë në mbështetje të një godine të re për Teatrin Kombëtar.
Sipas Ramës, aktorja Vinca ka mbështetur ndërtimin e një Teatri të ri në vendin ekzistues, por sipas saj ky është një keqkuptim që madje ndodh për herë të dytë. Ajo ka komentuar në postimin e Ramës duke e sqaruar se deklarata së cilës ai i është referuar nuk është thënë për Teatrin Kombëtar.
“I nderuar Kryeministër Rama, më vjen shumë keq, por me duhet t‘ju informoj që këtë mendim, nuk e kam dhënë për Teatrin Kombëtar. Është hera e dytë qe po ndodh ky keqkuptim, ndaj më duhet të sqarohem. Ju falemnderit”, shkruan aktorja.
Ilire Vinca është aktore, regjisore si dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Postimi i Ramës:
Ilire Vinca, aktore dhe regjizore, me një sërë produksionesh të suksesshme dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka këtë opinion për Teatrin Kombëtar
ILIRE VINCA :
Po të kishte mundësi të ndërtohej një teatër i ri në vendin ekzistues do të ishte mrekulli. Teatri është zhvilluar shumë në vendet tjera për nga ana teknike, çka iu mundëson artistëve të sjellin në jetë kreativitetin e tyre, madje edhe i frymëzon për gjetje të reja. Përveç kësaj, një teatër i ri do të krijonte mundësi edhe teknike për punëtorët e teatrit dhe organizimin e shfaqjeve. Nga ana tjetër, edhe për audiencën do të ishte një freski. Uroj të bëhet sa më shpejt!





