Prestigjiozja “Variety” i ka kushtuar një artikull nominimeve të mundshme për Çmimet e Akademisë Britanike të Filmit (BAFTA).

Revista paraqet mes shumë emrash të njohur me famë botërore si Nicole Kidman, Olivia Colman, Penelope Cruz, Jessica Chastain, Kristen Steëart etj dhe aktoren nga Kosova Yllka Gashi.

Lidhur me këtë ka reaguar dhe vetë aktorja shqiptare, ku shprehet se ndihet shumë krenare dhe e vlerësuar edhe nëse kjo mbetet vetëm një parashikim. Gashi interpreton në filmin “Hive”, të Blerta Bashollit, i cili është përfshirë në listën e ngushtë të nominimeve për një Oscar.

“Ta shoh emrin tim, të filmit “Zgjoi”, të Blerta Bashollit e produksionit Ikonë, e emrin e Kosovës në këso listash, më duhet ta pranoj që zemra më bëhet mal nga gëzimi e krenaria, por edhe nga mirënjohja e falenderimi që e kam për ata me të cilët kam pasur fatin e mirë ta bëjmë këtë film

Ky është nder shumë i veçantë edhe nëse mbetet vetëm parashikim medial! Me ose pa nominim – sepse as nuk dua të mendoj shumë e të preokupohem me diçka që nuk është në dorën time e nuk varet nga unë – fat të madh e nder jetësor e konsideroj mundësinë që e kam pasur ta portretizoj një grua të jashtëzakonshme siç është zonja Fahrije Hoti.

Të punoj me një regjisore të mrekullueshme e tepër punëtore që më inspiron çdo ditë si Blerta Basholli dhe me produksionin Ikonë që janë shumë meritor për çdo sukses që e kemi pasur deri tash, ta ndajë skenën me një kast briliant të aktorëve e të jem çdo ditë me një ekip fantastik prapa kamerës si ekipi i filmit tonë! Falemnderit krejtve për këtë përvojë të paharrueshme!“, shkruan aktorja.