Çmimet e banesave në Durrës mbeten relativisht në të njëjtat nivele si para tërmetit, megjithëse qyteti bregdetar pësoi një goditje të fortë nga lëkundja sizmike dhe pandemia që tani duket se është në kulmin e saj. Kur mendohej se tregu imobiliar do të pësonte një krizë të thellë, realiteti në terren tregon se situata nuk është aq negative siç mund të mendonte shumë kush.

Megjithëse dëmet e shkaktuara nga tërmeti janë mjaft të pranishme në lagje të shumta të qytetit, qytetarët nuk ngurojnë të investojnë në pasuri të paluajtshme, madje në shumë raste edhe në shtëpi të dyta. Mesa duket, paratë informale parapëlqehen të shpenzohen për apartamente apo vila, që shpesh kapin vlera të papërballueshme edhe për familje me të ardhura të kënaqshme mujore dhe vjetore.

Po cilat janë zonat me çmimet më të kripura dhe më të lira?

DurrësLajm kontaktoi menaxheren e Century 21 “New day”, Marsida Guma, e cila pranon se situata pas tërmetit dhe gjatë muajve të parë të pandemisë ishte një goditje e fortë për tregun imobiliar, por tashmë gjithçka po shkon drejt normalitetit. Guma thotë se çmimet më të larta të banesave janë përgjatë bregdetit, në lagjen nr.1, si dhe në zonat që mbetën të padëmtuara nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit dhe në qendër të qytetit.

“Pronarët e banesave që janë në fazën e rikonstruksionit të dëmeve nga tërmeti kanë më shumë prirje të negociojnë për çmimin. Ndërsa tek pallatet të cilat u janë nënshtruar rikonstruksionit apo kanë dalë pa dëme nga tërmeti çmimet janë në po të njëjtat nivele si para 26 nëntorit. Çmimet më të larta të banesave vazhdojnë të regjistrohen në lagjen nr.1 apo në qendër të qytetit. Apartamentet me pamje nga deti kushtojnë më shtrenjtë. Aty çmimet variojnë nga 850-1200 euro për metër katrorë. Ndërsa për apartamentet apo banesat me pamje nga Kodër Vila apo nga rrugët kryesore çmimet variojnë nga 650 deri në 800 euro m2”,– thotë Guma.

Ndërsa çmimet më të ultat janë në disa nga zonat me më shumë dëme nga tërmeti i 26 nëntorit si lagjja nr.18 apo zona e ish-Kënetës.

“Në këto zona çmimi për metër katror varion nga 450 deri në 550 euro”,– thotë Guma.

Megjithëse kanë çmime të kripura, që lidhen me sipërfaqen për metër katror, katet, cilësinë e ndërtimit, pasjen apo jo të një pishine etj, vilat private në zona rezidenciale mbeten shumë të preferuara për pasanikët e rinj.

“Zona e Qerretit, Gjiri i Lalzit apo Kepi i Rodonit mbeten tani për tani më të preferuarat, pasi aty janë përqendruar komplekset e vilave”,– bën të ditur menaxherja e Century 21 “New day”.

Çmimet më të lira aty nisin nga rreth 100 mijë euro, kurse ato më të kripurat kapin edhe 400 mijë euro.

Sa do të ndikojë pandemia në tregun imobiliar?

Shumë nga agjentët që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme ishin skeptikë në fillimet e pandemisë lidhur me ecurinë e punës së tyre. Por tashmë këto frikëra kanë kaluar, pasi kërkesat e qytetarëve nuk kanë ndaluar, megjithëse vizitat në pronat që kanë dalë në shitje apo jepen me qira kryhen duke zbatuar protokollet e sigurisë.

Sipas Gumës, këto muaj konsiderohen deri diku të suksesshme, megjithëse parashikime nuk mund të bëhen sepse nëse do t’i nënshtrohemi një mbylljeje të dytë, nuk dihet sesi do të reagojë tregu. Por nga ana tjetër, fakti që është ruajtur një trend pozitiv kërkesash gjatë këtyre muajve, i bën agjentët imobiliarë besimplotë se edhe në muajt e mbetur të vitit 2020 do të ruhet e njëjta tendencë.

Çmimet e pasurive të paluajtshme pritet të mbeten në kufijtë aktualë, përveç banesave të dëmtuara, apo atyre ku pronarët janë të predispozuar të bëjnë një shitje të shpejtë dhe të negociojnë për çmimin.

“Aktualisht tregu është në gjendje të stabilizuar dhe nuk besoj se do të ketë luhatje çmimesh. Deri në fund të vitit vijon procesi i rivlerësimit dhe çmimi për metër katror nuk pritet të ndryshojë. Përjashtim bëjnë vetëm rastet, kur pronarët e pasurive të paluajtshme janë të predispozuar të negociojnë”,- thotë Guma.

8 muaj pas tërmetit, durrsakët duket se e kanë harruar frikën e muajve të parë, kur shumë prej tyre shprehnin dëshirën për të mos banuar më në pallate shumëkatëshe, madje edhe në godina që u dëmtuan rëndë nga lëkundja e tokës.

M.B.