Nderi i kombit, aktori me famë ndërkombëtare Mirush Kabashi, feston sot 72-vjetorin e lindjes. Ditëlindja e gjen në izolim ashtu si pjesën më të madhe të shqiptarëve që janë të detyruar të kalojnë shumë më tepër kohë në banesë për shkak të pandemisë Covid-19.

“Nuk është fort e këndshme ta festosh ditëlindjen në këto kushte. Përveç izolimit këto kohë kam pasur edhe një problem të vogël shëndetësor, por fatmirësisht jam drejt rikuperimit”,- thotë Kabashi për DurrësLajm.

Megjithëse në kushtet e masave kufizuese, bashkëshortja dhe vajza nuk kanë harruar t’i sjellin në mesnatë tortën.

“Madje më detyruan të fikja edhe qirinjtë”,- thotë me nota humori artisti i madh i skenës. Telefoni i tij ka nisur të kumbojë që në mesnatë nga mesazhet e urimit, fillimisht të familjarëve që janë jashtë shtetit dhe nuk mund t’i bashkohen për ditëlindje dhe më pas plot miq e kolegë, dashamirës dhe adhurues të artit të tij. Megjithëse në izolim, urimet që dalin nga zemra ia bëjnë më të lehtë aktorit të madh kalimin e këtyre momenteve të vështira distancimi social.

Por si kanë kaluar këto 5 javë izolim për Mirush Kabashin?

“Të them të vërtetën unë e kam shkelur disi izolimin. Them shkelur në kuptimin e mirë të fjalës. Kur të gjithë futeshin brenda në orën 13.00, unë dilja me maskë dhe doreza të bëja një xhiro tek kodrat e liqenit artificial, aty ku dhe kam shtëpinë. Ecja për mua në këtë kohë shqetësimesh shëndetësore ishte në vend të medikamentit. Për mua lëvizja është një element kryesor për një shëndet të mirë”,- rrëfen Kabashi.

Duke u ndalur tek oraret e izolimit, aktori i famshëm nuk nguron të japë një sugjerim për qeverinë.

“Do doja t’u thoja ta shohin më me dashamirësi moshën e tretë. Duhet të kishin krijuar një fashë orare kur të gjithë të ishin brenda, pensionistët të kishin mundësi të dilnin rreth 60 minuta jashtë. Unë e kuptoj përkujdesjen e institucioneve karshi të moshuarve, pasi ata janë më të rrezikuarit nga kjo sëmundje, por në të njëjtën kohë ata duhet të kuptojnë se lëvizja është jetë për moshën e tretë. Për ne nuk është argëtim të ecurit, por është domosdoshmëri për një jetë më të shëndetshme”,– thotë Kabashi.

Për shpirtin e artistit, mbyllja brenda 4 mureve të shtëpisë është ndoshta edhe më e rëndë sesa për një njeri të zakonshëm. Por pavarësisht kësaj, Kabashi e ka gjetur mënyrën për të qenë aktiv edhe gjatë këtyre 40 ditëve izolim.

“Unë këto ditë kam pasur angazhime me televizione të ndryshme. Duhet të kuptoni, që në momente të vështira artisti bëhet përçues i së mirës. Përmes artit ne kurojmë ndërgjegjen e shoqërisë. Unë e konsideroj detyrim ndaj shoqërisë angazhimin profesional dhe pavarësisht shqetësimeve shëndetësore kam qenë përherë i gatshëm t’u përcjell bashkëatdhetarëve tanë një mesazh shprese, një mesazh besimi”,- thotë artisti i njohur.

Izolimi dhe masat kufizuese kanë lënë pezull disa aktivitete dhe shfaqje që Mirush Kabashi kishte planifikuar në këtë periudhë, siç është një aktivitet kulturor në Kosovë, një koncert recital poetik në universitetin e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut, ku pak muaj më parë e nderuan me titullin e lartë “Honoris Causa”. Prej muajsh, Kabashi është përfshirë në aktivitetet e “Nisma thurje”, ku shpreh përmes artit problematikat e shoqërisë, por këto javë izolim pamundësuan zhvillimin e 3 aktiviteteve të programuara.

Gjithsesi, artisti aq i dashur për shumë e shumë breza nuk mërzitet. Ai është i sigurt, se kjo flamë që po kërcënon jetën e mijëra njerëzve së shpejti do të largohet dhe qytetarët do të nisin ngadalë t’i rikthehen përditshmërisë, edhe pse ndoshta jo në formën që rutina jonë kishte para “zbarkimit” të Covid-19 në Evropë.

Në fund të bisedës me të, Kabashi ka një mesazh edhe për bashkëqytetarët e tij durrsakë.

“Dua të përcjell përmes portalit tuaj një mesazh për të gjithë durrsakët. Ju e dini që unë jam nga Durrësi dhe pavarësisht qëndrimit në Tiranë, jam shumë i lidhur me qytetin tim buzë Adriatikut. Krenohem me qytetin tim, me qytetarët e tij ashtu siç përjetoj edhe shqetësimet dhe problematikat me të cilat ata jetojnë. I përshëndes dhe u uroj ta kalojnë sa më lehtë të gjithë këtë situatë. E rëndësishme mbi të gjitha është jeta, prandaj uroj të kemi sa më pak humbje njerëzore nga kjo sëmundje e rëndë. Uroj gjithashtu që edhe ekonomia të mos pësojë goditje shumë të rëndë dhe të gjithë së bashku të dalim më të fortë”,– thotë artisti, fama e të cilit i ka kaluar prej shumë kohësh tashmë kufijtë e vendit tonë.

M.B.