Artistët e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit kanë folur mesditën e sotme për gjendjen shëndetësore të kolegut të tyre, aktorit të njohur Gulielm Radoja, i cili prej 2 javësh e gjysëm ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit për shkak se është prekur nga COVID-19.

Regjisorja e teatrit, Driada Dervishi, duke folur për mediat, tha se fatmirësisht gjendja e Radojës është pak më e mirë.

“Nga të gjitha bisedat që kemi bërë jemi përpjekur që të shqetësojmë sa më pak, gjendja e artistit sot është stabël, mendoj se prania e dy fëmijëve të tij ka ndikuar që të bëhet më mirë. Për këdo që kalon Covid-19 është e vështirë. Por ky rast është pak më i veçantë, se me të lidhet edhe bashkëngjitet kujtesa e një brezi dhe e disa brezave, unë shpresoj që si të gjithë, që kjo energji e bukur lutjeje të kthehet në energji për ta shëruar atë”, tha Dervishi.

“Që nga dita e djeshme që trupa e Aleksandër Mosiut bëri apel sot kemi lajm të mirë për përmirësim, urojmë që të shërohet sa më shpejt”, tha kolegu i Radojës, aktori Gjergj Doci.

Ndonëse, këto ditë kolegët artistë kanë apeluar që Gulielm Radojës t’i jepet mundësia për kurim të specializuar jashtë shtetit, aktualisht ata pohojnë se gjendja e tij shëndetësore nuk ia mundëson këtë.

“Jemi të befasuar nga kujdesi mjekësor. Ata po e shohin nëse do të jetë i mundur fizikisht në ditët në vijim, që ta çojnë për kurim të specializuar”, shprehet Dervishi.