Vazhdon puna për zbatimin e projektit për restaurimin e pjesëve të dëmtuara të murit të kalasë së Durrësit. Teksa punimet janë ende në fazën e parë dhe gjatë javës tjetër pritet të fillojë faza II, deri më tani është kryer me sukses me anë të vinçave lëvizja e gurëve masivë e të rëndë, që u shkëputën nga muri i kullës C, si pasojë e goditjeve fatale të tërmetit të 26 nëntorit.

Inxhinieri zbatues i punimeve, Lulzim Sinu, thotë se është “kryer pastrimi i territorit nga mbetjet e dëmtuara, në mënyrë që ato të përshtaten, të rregullohen dhe të vendosen përsëri në objekt”.

Ndërkohë që vijon të kryhet me kujdes të veçantë spostimi i materialeve anash murit, po pastrohet hapësira për të vijuar me përgatitjen e fazës pasardhëse që ka të bëjë me ndërhyrjen.

Punimet kanë filluar pas gati gjashtë muajsh nga goditja shkatërruese e tërmetit, ndërsa në krye të projektit është caktuar organizata jofitimprurëse “CHwB” Albania, që merret me restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe bashkëpunimin me muzeumet. Zbatuesi i punimeve është AD-STAR sh.p.k., ndërsa mbikëqyrës është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Vlera e investimit kap shifrën 2,001,400 lekë, teksa është parashikuar që kohëzgjatja e punimeve të përfundojë brenda 60 ditëve.

FAZAT E NDËRTIMIT

Kulla C u rrëzua pjesërisht nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Midis rrënojave mund të dallohen qartë teknikat e ndërtimit të fazave të ndryshme ndërtimore si dhe ndërhyrjeve të tjera më të vogla në periudha të ndryshme.

Punimet për ktë fazë të projektit përfshijnë punime për stabilizimin e përkohshëm, ku përfshihen:

-Sigurimi i sitit – mbrojtja emergjente, rrethimi

-Hartimi i zgjidhjes së skelerisë mbështetëse dhe ndihmëse

-Zbatimi i skelerisë mbështetëse dhe ndihmëse për strukturën që ka qëndruar

-Ndërtimi i një strukture të përkohshme mbulese të lehtë për të mbrojtur fragmentet e rëna dhe krijimi i një platforme pune për analizën dhe dokumentimin e tyre të mëtejshëm.

*Kjo kala mbetet simbol i lashtësisë e qytetërimeve të qytetit bregdetar. I gjithë muri rrethues i përket periudhës së perandorit bizantin Anastasi I në shekullin e V-të, që ishte me origjinë nga Durrësi dhe bëri fortifikimin e qytetit dhe kulla C që ka rënë ishte pjesë e këtij rrethimi fortifikues. Gjatë tërmetit të tmerrshëm të vitit 1273, që shkatërroi pothuajse plotësisht qytetin e Durrësit, u shkatërrua edhe kjo kullë plotësisht. Më pas, kulla u restaurua me materiale të antikitetit të vonë, pra të periudhës së Anastasit dhe materiale të periudhës së Mesjetës. Për herë të dytë në historinë e saj, tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi dhe një nga kullat fortifikuese të Kalasë së Durrësit.

S.L.