Era e fortë dhe deti i trazuar në të dy anët e Adriatikut kanë penguar lundrimin në orar të trageteve të linjës Durrës – Bari dhe Bari – Durrës.

Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se tragetet “Bari” dhe “AF Francesca”, të cilët duhet të niseshin nga porti i Barit natën e kaluar kanë nisur lundrimin drejt Durrësit vetëm sot rreth orës 07:00. Këto tragete pritet të mbërrijnë në portin e Durrësit pas 7-8 orësh.

Vonesa ka patur edhe në nisjen nga Durrësi drejt Barit për tragetin “Rigel”, i cili është larguar nga porti rreth orës 05:30.

Vetëm trageti “AF Marina” është nisur po ashtu nga Durrësi natën e kaluar, por me vonesa shumë të vogla.

Kushtet detare aktualisht janë më të mira se sa natën e kaluar, por lundrimi në det mbetet i vështirë-thanë burimet e APD.