Menaxhimi i situatës pas tërmetit dhe rikthimi i aktivitetit normal në qytetin e Durrësit, ishte fokusi i takimit të zhvilluar mes Prefektit të Qarkut Durrës, Roland Nasto, Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu,   Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë Detare, Paulin Ndreu dhe përfaqësuesve të operatorëve privatë portual.

Nasto, pasi falenderoi përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe private që operojnë në hapësirën portuale, për angazhimin e treguar gjatë situatës së jashtëzakonshme që kaloi vendi ynë, kërkoi mbështjetjen e tyre në rimëkëmbjen   dhe rikthimin e normalitetit në rajonin e Durrësit.

Drejtori i Përgjithshëm i DPD-së, Ndreu, pohoi gjatë këtij takimi, se aktivitetit portual ka vijuar normalisht dhe pa ndërprerje, ndërsa aktualisht vëmendja duhet të përqëndrohet te qyteti dhe qytetarët.

Nga ana e tij, Kreu i APD-së, Vengu, bëri të ditur se plan biznesi i vitit të ardhshëm do të planifikohet në frymën e përgjegjësisë sociale të lidhur ngushtë me qytet-portin. “APD-ja dhe operatorët privat të sistemit portual janë angazhuar maksimalisht në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe Mbështetjen logjistike të ekipeve ndërkombëtare me bazë në Portin e Durrësit”, pohoi Vengu gjatë takimit.