Porti i Durrësit ka pritur pothuajse të njëjtin numër pasagjerësh gjatë këtij viti, i cili vlerësohet në të njëjtin nivel me atë që është regjistruar gjatë vitit 2017.

Burime nga Autoriteti Portual Durrës bëjnë të ditur se deri në këtë moment janë regjistruar 844 839 pasagjerë në total që kanë kaluar nëpërmjet portit më të madh të vendit, shifër kjo që arrin në 99 për qind të planifikimit që është bërë në fillim të vitit.

Përgjegjësi i sektorit të statistikave, Fatmir Lila, shprehet se kemi një tregues pozitiv që lidhet me tejkalimin e planit përsa i përket numrit të kamionëve dhe autoveturave.

Gjatë këtij viti, shtetas shqiptarë që kanë kaluar nga porti i Durrësit kanë qenë 453 mijë, shtetas të huaj 234 mijë, vetura 178 mijë, kamionë dhe trailera 75 mijë. Për vitin 2019 Autoriteti Portual Durrës ka planifikuar një rritje të lehtë përsa i përket volumit të pasgjerëve dhe numrit të kamionëve dhe autoveturave.