Reparti i PMNZSH në portin e Durësit gjatë periudhës janar-shtator 2020, ka kryer një sërë misionesh në mbështetje të komunitetit, si dhe mjeteve zjarrfikëse në bashkitë e qarkut të Durrësit.

Nga të dhënat e këtij Reparti, gjatë 9 muajve dy mjetet si dhe personeli zjarrfikës i APD-së, kanë punuar afro 225 orë gjithsej për zgjidhjen e emergjencave civile si zjarre, pastrime, dezinfektime dhe aksidente, ndërsa dy pompat thithëse të repartit janë shfrytëzuar për afro 137 orë në rastet e përmbytjeve në territorin e qarkut.

Reparti i Policisë së Mbrojtjes Nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH) pranë Autoritetit Portual Durrës, përveç veprimtarisë  kryesore brenda territorit portual, ka marrë pjesë gjatë këtij viti edhe në operacionet e shpëtimit dhe mbrojtjes kundër zjarreve në hapësirën e qarkut të Durrësit.

Në zbatim të legjislacionit përkatës dhe në mbështetje të kolegëve të reparteve të Durrësit, Shijakut dhe Krujës, zjarrfikësit dhe mjetet e specializuara të APD-së kanë dhënë kontributin e tyre në shumë operacione shpëtimi. 

Gjatë stinës së verës, zjarrfikësit portualë kanë kontribuar në shuarjen e disa zjarreve. Mjetet zjarrfikëse dhe pompat thithëse janë përdorur gjërësisht në parandalimin e përmbytjeve.

Gjatë këtij viti rastet e rrezikut të zjarrit në hapësirën portuale kanë qenë të pakta. Reparti zjarfikës në portin e Durrësit, funksionon si një nga repartet e ngritura pranë objekteve të rëndësisë së veçantë në shkallë vendi.